Fjalorth i terminologijsë migratore


Fjalorth i terminologijsë migratore
Publisher: IOM International Organization for Migration
Publication date: 2007
ISBN: 1995-7467
Number of pages: 87
Format: PDF / excellent
Size: 0,99 MB

Nr. 10 E Drejta Migratore Ndërkombëtare
Fjalorth i terminologijsë migratore
IOM International Organization for Migration
ONM Organizata Ndërkombëtare për Migracionin
IOM-i i përmbahet parimit se migracioni i organizuar dhe human i shërben si migrantëve
ashtu edhe shoqërisë. Si një organizatë ndërqeveritare, IOM-i vepron me partnerët e tij në
komunitetin ndërkombëtar: për të ndihmuar në realizimin e të gjitha sfidave operacionale
të migracionit; për të zhvilluar më tej kuptimin e çështjeve që lidhen me migracionin; për
nxitjen e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik nëpërmjet migracionit; dhe për të mbrojtur
dinjitetin njerëzor dhe mirëqenien e migrantëve.
Botues: Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM)
Rr. Brigada e VIII, Vila nr.3
Tiranë, Shqipëri
© 2007 Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM)
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Asnjë pjesë e këtij botimi nuk mund të riprodhohet,
regjistrohet, kopjohet ose transmetohet në çfarëdolloj forme apo me çfarëdolloj mjeti,
elektronik, mekanik, fotokopjues, regjistrues ose të tjerë, pa marrë më parë miratimin me
shkrim nga botuesi.
Parathënie e botimit në gjuhën angleze të vitit 2004 (Richard Perruchoud)
Dy fjäle mbi botimin në gjuhën shqipe (Nicoletta Giordano, Shefe Misioni, IOM Tirana)
BIBLIOGRAFIA
Literatura
Burime dokumentash
Parathënie e botimit në gjuhën angleze
të vitit 2004
Fenomeni i migracionit po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një çështje që ka
nevojë për një trajtim global dhe përgjigje të bashkërenduara. Shtetet po i diskutojnë
çështjet e migracionit jo vetëm në nivel dypalësh, por edhe në nivel rajonal dhe kohët
e fundit, edhe në atë global. Që bashkërendimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar të
jetë i suksesshëm është e domosdoshme gjetja e një gjuhe të përbashkët. Ky fjalorth
synon të shërbejë si një udhëzues për morinë e termave dhe koncepteve në fushën e
migracionit, në përpjekje për të qenë një mjet i dobishëm për forcimin e mëtejshëm
të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Fjalorthi ka kaluar në një proces të gjatë për të ardhur në formën aktuale. Disa
variante jozyrtare të tij u përgatitën nga IOM-i që në vitet shtatëdhjetë, për t’u përdorur
nga personeli i organizatës. Një përpjekje për një variant të konsoliduar është bërë në
fund të viteve tetëdhjetë nga qendra për bashkëpunim teknik e IOM-it në Vjenë që u
kurorëzua me botimin “Udhëzuesi i migracionit” në vitin 2001, redaktuar nga P. J. Van
Krieken. Në kuadrin e nismës më të fundit të IOM-it për të fuqizuar dhe përmirësuar
përfshirjen në fushën e të drejtës ndërkombëtare për migracionin, u vendos hartimi i
këtij fjalorthi, për të konsoliduar kështu, në një tekst përfundimtar, terminologjinë
e përdorur në fushën e migracionit duke shërbyer si një referencë e besueshme për
profesionistët, zyrtarët e organeve shtetërore që mbulojnë çështjet migratore, studentët
dhe të tjerë. Ky produkt nuk mund të thuhet se është gjithëpërfshirës dhe shterues dhe
për pasojë, çdo koment apo sugjerim për një botim të dytë të mundshëm, më të plotë,
është i mirëpritur.
Gjatë hartimit të fjalorthit, nuk vonoi të dilte në pah fakti se përkufizimet në fushën
migratore janë shpesh të zbehta, të papajtueshme dhe kontradiktore. Ka një mungesë
të përkufizimeve të pranuara në nivel të përgjithshëm, që buron pjesërisht nga fakti
se migracioni është trajtuar tradicionalisht vetëm në nivel kombëtar dhe për pasojë,
përdorimi i termave të migracionit ndryshon nga një vend në tjetrin. Për më tepër, edhe
brenda një vendi, termat mund të ndryshojnë lidhur me kuptimin apo nënkuptimet.
Përkufizimet – dhe kjo është e vërtetë për të gjitha terminologjitë, jo vetëm për atë
migratore – mund të ndryshojnë në përputhje me një këndvështrim apo trajtim të caktuar.
Migracioni është me rëndësi për një sërë organizmash, përfshi qeveritë e vendeve dërguese
dhe pritëse, autoritetet e policisë dhe të kufirit, organizatat qeveritare dhe joqeveritare
si dhe vetë migrantët. Në rast se nuk ka përkufizime të pranuara në nivel universal,
ekziston mundësia për çdo grup që të vendosë e të përdorë, formalisht apo informalisht,
përkufizimin e vet, në përputhje me këndvështrimin personal. Për shembull, për termin
‘trafikim’ ekzistojnë një numër i madh përkufizimesh që vetëm kohët e fundit janë
konsoliduar në një përkufizim të unifikuar në një traktat zyrtar në nivel ndërkombëtar. Por,
shumë terma të tjerë nuk janë pranuar ende në nivel universal. Në fjalorth është treguar
kujdes që të jepet përkufizimi ndërkombëtar kur ai ekziston; në raste të tjera, është dhënë
një përkufizim i përgjithshëm dhe janë përmendur përkufizimet alternative.
Një tjetër sfidë e hasur në hartimin e këtij botimi ishte larmia e termave të përdorur
për të përshkruar dukuri të njëjta apo të ngjashme. Për shembull, mund të ketë nuanca
ndërmjet termave “migracion i paligjshëm”, “migracion klandestin”, “migracion pa
dokumenta” dhe “migracion i parregullt”; megjithatë, ato përdoren gjerësisht dhe shpesh
në vend të njëra-tjetrës. Për këtë qëllim, disa referenca të kryqëzuara të termave kanë
qenë të pashmangshme për ta orientuar lexuesin drejt termave alternative apo duke
bërë referimet përkatëse.
Dhe së fundi, në radhë, por jo nga rëndësia, dëshiroj të shpreh mirënjohjen dhe
vlerësimin tim për Shyla Vohra, Jillyanne Redpath dhe Katarina Tomolova, kolegët e
mi në Shërbimet Ligjore, që kontribuan në këtë përpjekje dhe e bënë atë të mundur:
kompetenca e tyre, përkushtimi dhe përpjekjet e palodhura ishin thelbësore për të sjellë
në jetë këtë fjalorth.
Richard Perruchoud
Dy fjalë mbi botimin në gjuhën shqipe
Përdorimi dhe zgjerimi i terminologjisë migratore në gjuhën shqipe është një dukuri
relativisht e re. Nevoja për një kuadër të plotë legjislativ dhe studime në këtë fushë lindi
kryesisht pas viteve ‘90-të, si rezultat i përmasave që njohu emigrimi i shqiptarëve këtë
periudhë. Kjo, ka nxjerrë në pah mungesën e termave mirëfilli shqip apo edhe përdorimin
e tyre shpesh në mënyrë të gabuar. Kështu, në gjuhën e përditshme, por edhe në artikuj
mediatikë, studime dhe dokumenta zyrtarë, shumë terma janë përdorur në vend të njëri
tjetrit.
Për shembull, termi ‘smuggling’, është përkthyer “trafiku i migrantëve” në variantin
zyrtar shqip të Protokollit shtesë të Konventës së OKB-së kundër Krimit të Organizuar
Ndërkombëtar, ratifikuar nga Parlamenti Shqiptar (me Ligjin nr. 8920, datë 11.07.2002). Në
Ligjin për Emigrimin e Shtetasve Shqiptarë për Motive Punësimi (9668, datë 18.12.2006)
është përdorur termi ‘kontrabandim i migrantëve’, ndërsa në Kodin Penal është përkufizuar
si “Dhënia e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” (neni 298 i Kodit Penal). Për të
mos përmendur termin ‘refugjat’ i cili shpesh është përdorur për të treguar ‘migrantin’.
Situata është e ngjashme edhe për termat ‘migrim’ apo ‘migracion’ të cilët në akte ligjore
apo dokumenta zyrtarë janë përdorur si sinonime.
Problematika e terminologjisë migratore në gjuhën shqipe u bë e prekshme sidomos gjatë
procesit të hartimit të Strategjisë Kombëtare për Migracionin (2005), ku u ndje nevoja e
një udhëzuesi termash migratorë. Në këtë situatë, lindi natyrshëm ideja e përkthimit të
Fjalorthit Migrator, botuar nga Zyra Qëndore e IOM-it nën redaktimin e Departamentit
Ligjor në Gjenevë.
Projekti “Ngritja e mekanizmave për zbatimin efektiv dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve
të ripranimit midis Shqipërisë, KE-së dhe shteteve të treta të interesuara” u zbatua nëpërmjet
Programit të Komunitetit AENEAS 2004 të Komisionit Evropian. I bashkëfinancuar nga
Ministria Helene e Brendshme, Sekretariati i Përgjithshëm i Rendit Publik brenda Ministrisë
Helene të Brendshme, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin, Instituti Helen i
Politikave Migratore dhe Agjencia Helene për Zhvillimin Local dhe Qeverisjen Lokale,
ai siguroi mundësinë për sipërmarrjen e këtij përkthimi shumë të nevojshëm nga teksti
origjinal në anglisht të Fjalorit të IOM mbi Migracionin. Këto institucione nuk mbajnë
përgjegjësi për përmbajtjen e botimit, ndonjë pasaktësi të shkaktuar nga përkthimi apo për
përdorimin që mund ti bëhet informacionit që përmbahet aty.
Me këtë botim të IOM-it, synohet t’u vihet në ndihmë institucioneve shqiptare që mbulojnë
çështje migratore, ekspertëve dhe hartuesve të politikave, në mënyrë të veçantë në përpjekjet
e tyre për përafrimin e legjislacionit migrator vendas me Acquis Communautaire, si një
nga kërkesat e Marrëveshjes për Stabilizim Asocim. Ai do të shërbejë si një referencë e
dobishme për të gjithë aktorët e përfshirë në fenomenin e migracionit, shoqërisë civile,
akademisë, medias si edhe vetë migrantëve. Megjithatë, si një përpjekje e parë për të sjellë
në gjuhën shqipe terminologjinë ndërkombëtare migratore, çdo koment apo sugjerim në
përmirësimin e vazhdueshëm të dokumentit është i mirëpritur.
Falënderojmë në mënyrë të veçantë Z.Genci Pjetri për përkthimin e dokumentit, Z.Durim
Hatibi, Specialist për çështjet migratore (Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve
të Barabarta) për përkushtimin në redaktimin e përkthimit, Znj. Luljeta Ikonomi, Eksperte
Ligjore (IOM) për redaktimin tërësor të materialit dhe Znj. Anne Kohler, Shefe Projekti
për koordinimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë gjithë procesit. Gjithashtu, i shprehim
mirënjohjen Departamentit Ligjor në zyrat qëndore të IOM-it që lejoi përkthimin dhe
botimin e ‘Fjalorthit për Terminologjinë Migratore’ si edhe për mbështetjen e vazhdueshme
gjatë gjithë procesit.
Nicoletta Giordano
Shefe Misioni
IOM Tirana

https://www.megaupload.com/?d=AGPBFRMC

Leave a Comment

Translate »